Ndryshimi i orës në vjeshtë, kur akrepat kthehen pas me një orë, konsiderohet më pak çrregullues sesa ai i pranverës, por përsëri ndikon në mënyrë të ndjeshme në ritmet tona biologjike. Ekspertët theksojnë se ky ndryshim prek orën tonë të brendshme 24-orëshe – të njohur si ritëm cirkadian – që rregullon gjumin, vigjilencën, prodhimin e hormoneve dhe humorin. Sipas profesorëve Timo Partonen (Universiteti i Helsinkit) dhe Malcolm von Schantz (Universiteti i Northumbria), ora e brendshme përshtatet më lehtë në vjeshtë, pasi fitojmë një orë shtesë, por disa njerëz mund të ndjejnë lodhje ose prishje të lehta të gjumit në ditët pas ndryshimit.
Ndërsa kalimi pranveror lidhet me rritje të përkohshme të aksidenteve rrugore dhe infarkteve, edhe ndryshimi i tetorit mund të ketë pasoja më të buta, si rritje të stresit e konfuzionit, veçanërisht tek gratë, dhe vështirësi në rutinat e fëmijëve. Studime nga Universitetet e Liverpool John Moores, Oksford dhe Stanford sugjerojnë se ndryshimet e shpeshta të orës mund të rrisin rrezikun e goditjeve në tru dhe obezitetit, ndërsa koha standarde e përhershme do të ishte më e shëndetshme për popullsinë.
Shkencëtarët dhe organizatat e gjumit rekomandojnë heqjen e ndryshimit sezonal të orës dhe kalimin në kohë standarde të përhershme. Deri atëherë, ekspertët këshillojnë që “ora shtesë” në tetor të shfrytëzohet për pushim të vërtetë.
Në 2018 Bashkimi Evropian propozoi ndërprerjen e ndryshimeve sezonale të orës. Ndërsa Parlamenti Evropian e mbështeti atë në parim, shtetet anëtare nuk mundën të binin dakord nëse do të miratonin një kohë standarde të përhershme apo orën verore.
Për momentin, ora vazhdon të lëvizë para dhe prapa çdo vit.

