Kroacia ka vendosur të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një kohë kur frika për përhapjen e luftës nga Ukraina po rritet në gjithë Evropën. Parlamenti kroat miratoi ligjin me 84 vota pro, 11 kundër dhe 30 abstenime. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qëllimi është t’u mësohet të rinjve njohuri dhe aftësi bazë që nevojiten “në situata krize”, duke forcuar kështu sigurinë kombëtare.
Shërbimi ushtarak do të zgjasë dy muaj dhe do të përfshijë trajnime bazë ushtarake. Rekrutimi i detyrueshëm ishte pezulluar në vitin 2008 kur Kroacia kaloi në një ushtri vullnetare. Të rinjtë e lindur në vitin 2007 do të thirren për kontrolle mjekësore deri në fund të vitit. Ata që refuzojnë për arsye ndërgjegjeje mund të zgjedhin shërbimin civil.
Vendimi vjen në një periudhë kur shumë vende evropiane po rishikojnë politikat e tyre të shërbimit ushtarak për shkak të pasigurisë gjeopolitike. Lituania, Suedia, Norvegjia dhe Franca e kanë rikthyer pjesërisht ose plotësisht rekrutimin, ndërsa Belgjika, Holanda dhe Gjermania po promovojnë shërbimin vullnetar. Siç theksoi ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorious, “Një ushtri e fortë, në personel dhe pajisje, është mjeti më i mirë për të parandaluar luftërat.”.

