Autoritetet britanike kanë zbuluar dhe çmontuar fabrikën e parë ilegale në Mbretërinë e Bashkuar për prodhimin e barnave për humbje peshe. Operacioni I zhvilluar në Northampton, çoi në sekuestrimin më të madh ndonjëherë globalisht të medikamenteve të trafikuara për humbje peshe, sipas Agjencisë së Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA).
Gjatë bastisjes, u sekuestruan dhjetëra mijëra aparate bosh për injektim, përbërës kimikë të papërpunuar dhe mbi 2,000 aparate të paautorizuar me Retatrutide dhe Tirzepatide, që do t’u dërgoheshin klientëve.
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, e quajti këtë “një fitore kundër kriminelëve të paturpshëm që rrezikojnë jetë njerëzish”. Ndërkohë, Andy Morling, kreu i njësisë kriminale të MHRA, paralajmëroi qytetarët të jenë “jashtëzakonisht të kujdesshëm” me barnat e blera online, duke theksuar se ato duhet të merren vetëm nga farmaci të licencuara.
Sipas tij, produktet e sekuestruara janë “të patestuara, të paautorizuara dhe potencialisht vdekjeprurëse”. Shkatërrimi i kësaj rrjete kriminale ndërkombëtare, tha ai, ka parandaluar hyrjen në treg të dhjetëra mijëra produkteve të rrezikshme dhe ka mbrojtur seriozisht shëndetin publik.

